Drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Shaban Alajbegu, së bashku me drejtorin e Qendrës për Zhvillimin e Rajonit Planor Jugperëndimor, Valon Kaba, morën pjesë në dorëzimin zyrtar të një ekskavatori të ri mini, të destinuar për nevojat e ndërmarrjeve publike komunale në Komunën e Strugës.
Furnizimi me mekanizimin e ri është pjesë e projektit “Fuqizimi i kapaciteteve të ndërmarrjeve publike komunale”, që synon përmirësimin e kapaciteteve teknike dhe operative të ndërmarrjeve publike komunale, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.
Në kuadër të projektit, përmes Aktivitetit 2 dhe Aktivitetit 3, është parashikuar furnizimi me pajisje dhe mekanizim shtesë për nevojat e ndërmarrjeve publike komunale në komunat e Dibrës dhe Kërçovës. Vlera e përgjithshme e pajisjeve të planifikuara arrin në 1.713.714 denarë.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të Komunës së Strugës, si dhe drejtori i ndërmarrjes publike komunale lokale, të cilët theksuan rëndësinë e investimeve të tilla për realizimin më efikas të aktiviteteve komunale dhe përmirësimin e infrastrukturës lokale.
Realizimi i projekteve të këtilla paraqet një kontribut të rëndësishëm në krijimin e kushteve më të mira të punës për ndërmarrjet publike, përmirësimin e shërbimeve komunale dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm lokal dhe rajonal.
Byroja për Zhvillim Rajonal, në bashkëpunim me qendrat për zhvillimin e rajoneve planore dhe vetëqeverisjet lokale, vazhdon të mbështesë projekte që synojnë fuqizimin e kapaciteteve lokale, përmirësimin e infrastrukturës dhe ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.








